Secondary Adv

Tabela, çmimet e marketeve në Tiranë, deri në 50 për qind më të shtrenjta se në rajon

Një shportë me 15 produkte ushqimore kushton 54.6 euro në Tiranë, kundrejt 37.3 eurove në Prishtinë.

Çmimet e produkteve ushqimore në marketet e Tiranës rezultojnë ndjeshëm më të larta se në kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Me 100 euro të shpenzuara për ushqime në Tiranë, konsumatorët mund të blejnë rreth 46 për qind më shumë produkte në Prishtinë, 34 për qind më shumë në Shkup, 25 për qind më shumë në Podgoricë, 22 për qind më shumë në Sarajevë dhe 17 për qind më shumë në Beograd.


Sipas një krahasimi të realizuar nga “Monitor”, bazuar në të dhënat e platformës ndërkombëtare Numbeo për çmimet në markete, një shportë me 15 produkte bazë kushton 54.6 euro në Tiranë, nga 46.9 euro në Beograd, 44.6 euro në Sarajevë, 43.8 euro në Podgoricë, 40.7 euro në Shkup dhe 37.3 euro në Prishtinë.


Diferencat janë veçanërisht të dukshme te produktet e konsumit të përditshëm, si qumështi, vezët, djathi, mishi, frutat dhe perimet. Për disa prej këtyre produkteve, çmimet në kryeqytetin shqiptar janë pothuajse dyfish më të larta se në qytetet e tjera të rajonit.


Vezët dhe qumështi, ndër produktet me diferencat më të mëdha

Vezët janë ndër produktet që regjistrojnë diferencat më të mëdha të çmimeve. Një paketim me 12 kokrra kushton mesatarisht 3.24 euro në Tiranë, ndërsa në Prishtinë shitet për 1.61 euro dhe në Shkup për 2.2 euro. Kjo do të thotë se çmimi i vezëve në Tiranë është pothuajse dyfishi i atij në Prishtinë.


Qumështi është një tjetër produkt me diferenca të konsiderueshme. Një litër kushton mesatarisht 1.97 euro në Tiranë, kundrejt 1.05 eurove në Sarajevë, 1.12 eurove në Shkup, 1.13 eurove në Prishtinë, 1.16 eurove në Podgoricë dhe 1.27 eurove në Beograd. Në krahasim me Sarajevën, qumështi është gati 88 për qind më i shtrenjtë në kryeqytetin shqiptar.


Edhe djathi vendas ka çmime dukshëm më të larta. Një kilogram kushton mesatarisht 11.4 euro në Tiranë, nga rreth 7 euro në Prishtinë dhe Shkup, 7.7 euro në Podgoricë, 9.2 euro në Sarajevë dhe 10.2 euro në Beograd.


Mishi, frutat dhe perimet kushtojnë më shumë në Tiranë

Diferenca të konsiderueshme regjistrohen edhe te produktet e mishit. Një kilogram fileto pule kushton mesatarisht 8.2 euro në Tiranë, ndërsa në Beograd dhe Prishtinë çmimi është rreth 6 euro. Mishi i viçit shitet mesatarisht me 15.2 euro për kilogram në kryeqytetin shqiptar, kundrejt rreth 11 eurove në Podgoricë dhe Prishtinë.


Ndër produktet me diferencat më të larta janë edhe disa fruta dhe perime. Bananet kushtojnë mesatarisht 2.2 euro për kilogram në Tiranë, rreth 75 për qind më shumë se në Shkup. Për sallatën jeshile, diferenca me Shkupin është edhe më e madhe, ndërsa qepët kushtojnë rreth 75 për qind më shumë në Tiranë sesa në Beograd.


Megjithatë, jo të gjitha produktet janë më të shtrenjta në Shqipëri. Domatet rezultojnë më të kushtueshme në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa orizi ka një çmim pak më të lartë në Beograd.


Të dhënat e Numbeo bazohen në çmime të raportuara nga përdoruesit dhe krahasojnë kryeqytetet e vendeve të rajonit, jo mesataret kombëtare. Shporta ilustruese përmban nga një njësi të secilit prej 15 produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike, pa përfshirë pijet alkoolike dhe duhanin.


Eurostat: Shqipëria ka çmimet më të larta të ushqimeve në Ballkanin Perëndimor

Diferencat e evidentuara nga Numbeo përputhen me panoramën e përgjithshme të çmimeve që paraqesin statistikat europiane. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për produktet ushqimore, duke kaluar për herë të parë edhe mesataren e Bashkimit Europian.


Indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9 për qind të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6 për qind në vitin 2024 dhe rreth 85 për qind në vitin 2022. Në Serbi, niveli ishte 96.6 për qind i mesatares europiane, në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74.3 për qind.


Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që në Bashkimin Europian kushton mesatarisht 100 euro, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74 euro.


Diferenca bëhet edhe më e dukshme te produktet e bulmetit. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve në Shqipëri ishin 35.6 për qind mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke e renditur këtë kategori ndër më të shtrenjtat në raport me tregun europian.


Çmimet europiane, por të ardhurat dhe fuqia blerëse mbeten të ulëta

Ndërsa çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë kaluar mesataren europiane, niveli i të ardhurave dhe i konsumit mbetet dukshëm më i ulët. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 43 për qind e mesatares së Bashkimit Europian dhe konsum individual për frymë sa 48 për qind e saj.


Kjo tregon se konsumatorët shqiptarë përballen me çmime ushqimore të krahasueshme, madje më të larta se mesatarja europiane, ndërkohë që fuqia e tyre blerëse mbetet shumë më e ulët.


Ushqimet zënë rreth 40 për qind të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ndaj çmimet e larta të produkteve bazë ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare.


Forcimi i vazhdueshëm i lekut ndaj euros gjatë viteve të fundit ka ulur koston në monedhën vendase të mallrave të importuara, por ky përfitim nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet e shitjes për konsumatorët.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat